Faktorët që ndikojnë në suksesin e një kompanie – Renis Tërshana

Renis Tërshana, themelues dhe drejtues i kompanisë R&T Group ishte i ftuari i rradhës në Startup Grind Tirana, për muajin Tetor. Z. Tërshana ndau me të pranishmit fillimet e tij në biznes në Shqipërinë e viteve 1995, ku sipas tij – gjithçka dukej si kaos. Në një situatë të tillë, Tërshana thotë se kompania që themeloi u mundua të ofronte shërbime sa më cilësore dhe kështu arriti të diferencohej në treg. Mundësitë që ofronte Shqipëria ishin të shumta në vitet 1995 për një student si Renisi, dhe ende Shqipëria ofron shumë mundësi, sipas tij.

Këshillat kryesore që Tërshana jep për sipërmarrësit e rinj fokusohen në rëndësinë që kanë zgjedhjet e duhura, qoftë në lidhje me vendin dhe ambientin ku do të bësh biznes, ashtu edhe në lidhje me bashkëpunëtorët apo stafin që do të të shoqërojnë në punën drejt suksesit dhe fitimit.

Për suksesin, Renisi ka një qasje më shumë filozofike sesa materialiste. Për të, suksesi është ajo gjendje kur një person ndihet i realizuar dhe kupton se ka arritur qëllimin për të cilin ka punuar, pavarësisht se çfarë është ai qëllim. Në të kundërt, dështimi është një ndodhi e përditshme në jetën e një sipërmarrësi – sipas Z. Tërshana. Çdo ditë sipërmarrësit përjetojnë mini-dështime ose edhe dështime të mëdha por kjo nuk duhet t’i dekurajojë ata. Sekreti është që gabimet që  të çuan në dështim, të mos përsëriten më, sipas tij.

Vija ndarëse midis një individi që ka dëshirë të bëjë biznes dhe dikujt që e ndërmerr riskun dhe fillon të punojë për idenë e tij varet nga shumë elementë sipas Z. Tërshana sepse “jo të gjithë e marrin riskun, jo të gjithë kanë të njëjtën shtytje të brendshme, pastaj është edhe fati, janë shumë elementë. Nuk është formulë matematike, doja të thoja,” përfundon Z. Tërshana.

 

Endri Mataj (audiencës): Do t’ju ftoja të gjithëve të ngriheshit në këmbë dhe t’i japim një duartrokitje shumë të ngrohtë Renis Tërshana, themelues i R&T Group.

Endri: Si je?

Renis: Shume mirë, shumë i emocionuar sepse unë nuk jam mësuar me duartokitje dhe është hera e parë që emocionet nuk m’i lehtësuat por m’i shtuat.

Do kalojë, do kalojë shumë shpejt. Mendoja që gjithmonë të prisnin kështu kur ikën në zyrë.

Jo, stafi është shumë sportiv, secili sheh punën e vet kur hyj ose kur dal nga zyra kështu që është impresionuese kjo lloj ngjarje.

Ne zakonisht e fillojmë me një pyetje shumë të thjeshtë. Na flisni pak nga jeni, ku keni lindur, ku jeni shkolluar, prindërit nga janë, çfarë profesioni kanë patur?

Unë jam djali i një gjeologu dhe i një mësueseje matematike, të dy me origjinë nga qyteti i Dibrës, ku prindërit e tyre janë shpërngulur 100 vjet më përpara në Tiranë, kur ndodhën luftërat Ballkanike. Kam tre fëmijë të cilët thonë që janë dibranë megjithëse dy prej tyre kanë lindur në Amerikë, kështu që jemi një familje me rrënjë patriotike.

Dibra e Madhe?

Dibra e Madhe eshte nje koncept shume shume lokal, por Dibra, qyteti i Dibrës që është në Maqedoni.

Endri: Edhe unë jam nga Dibra e Madhe. Mund të jemi kushërinj, ku i dihet!

Renis: Do e bëjmë atë network-un mbrapa siç e kemi zakon ne dibranët dhe do e gjejmë  lidhjen. E përmenda këtë sepse familja, gjyshërit dhe prindërit e mi kanë qenë gjithmonë familje – unë e quaj patriotike, sepse gjyshi im ka punuar në administratën e Zogut, ka qenë AntiZogist, megjithëse prindërit e mi kanë punuar në sistemin komunist, kanë qenë Antikomunistë. Unë kam studiuar 5 vjet në Austri dhe jam kthyer prapë këtu.

Pra nuk ke qenë Anti-perëndimor?

Jo, kam qenë Atdhe-dashës. Unë shkollën fillore e kam bërë në Pukë, shkollën e Migjenit në Pukë, babai im si gjeolog ka jetuar 4 vjet atje. Ka qenë shkollë shumë e mirë, unë kam shumë eksperienca të bukura të cilat më kanë frymëzuar në jetën time të mëvonshme. Kam bërë shkollën 8 vjeçare Fan Noli, shkollën e mesme Partizani, kam studiuar 2 vjet Gjeologji në Fakultetin e Gjeologjisë në Tiranë, pastaj kam vazhduar në Austri. Jam larguar nga vendi kur u humbën zgjedhjet e para demokratike, kur humbi edhe shpresa se mund të kthehej në vitin ’91 situata për mirë dhe kam studiuar atje 4 vjet. Kam studiuar Gjeologji dhe Ekonomik paralel. Të dyja i lashë në momentet finale në vitet e fundit sepse u angazhova me punë kështu që e pashë se mund të kisha perspektivë më të mirë në sektorin privat sesa po të merrja atë diplomën dhe të punësohesha diku.

Pse menduat kështu? Se në përgjithësi kush mbaron shkollën gjëja e parë që ju vjen ndërmend është të gjejnë punë.

Unë punoja kur isha student sepse isha i detyruar që shkollën ta financoja vetë, kështu që nuk ishte problemi të gjeja punë por të gjeja një punë që më pëlqen.

Pastaj çfarë ndodhi? Si e filluat biznesin në sektorin privat? Kush ka qenë hapi i parë që ju shtyu drejt ngritjes së një sipërmarrjeje? Çfarë bëtë në atë periudhë? U kthyet në Shqipëri apo vazhduat të punoni në Austri?

Unë që në vitin 1991 që isha student, isha paralel edhe student edhe në punë, kështu që isha në një farë mënyre i punësuar në kompani të ndryshme dhe kam bërë lloj-lloj punësh, kështu që kam pasur eksperienca nga më të bukurat dhe më interesantet të cilat i përmend vazhdimisht me kënaqësi, dhe pastaj erdhi një moment që e pashë se kishte shumë mundësi të cilat mund t’i merrja përsipër për të bërë gjëra vetë. Shqipëria ishte një vend në të cilin asgjë nuk ishte e zhvilluar në vitin 1995 kështu që kisha mundësi. Unë duke qenë djalë i ri 24-25 vjeç, gjëja që më pëlqente më shumë atëherë ishte të merresha me modë, kisha qejf të vishesha vetë, kisha kontakte të mira me fushën e modës në Austri kështu që e pashë si mundësi se si puna ime mund të kishte edhe të tjerë, që ju pëlqen të vishen bukur këtu në Tiranë, dhe funksionoi. Kjo më dha mundësinë të vija në Tiranë dhe të bëja punë.

Kush ka qenë kompania e parë që keni themeluar?

Ka qenë R&T që këtë vit bëjmë 20 vjetorin, 2 dekada. Kjo ka qenë puna, ndërkohë më përpara kam bërë biznese të tjera të vogla por që kanë qenë ndërmjetësime ndërmjet kompanive, por kjo ka qenë institucionale, Shpk e krijuar.

Na flisni pak për periudhën sesi nisi R&T, kur u materializua, le të themi, në një kompani të mirëfilltë? Kush kanë qenë hapat e parë të lindjes së kompanisë dhe sot pas 20 vjetësh, ku është me shifrat?

R&T filloi bashkë me mua dhe një partner timin që studionim bashkë në Austri, u kthyem këtu dhe ishim prapë në fushën e modës e cila vazhdoi për disa vjet dhe qysh në fillim patëm një model biznesi që ishte më cilësor se pjesa tjetër e tregut. Ideja ishte që të mbushnim ato hapësirat të cilat ishin të pambyllura, dhe kjo vazhdoi për disa vjet derisa pati një lloj maturimi dhe kërkesat për të bërë biznes ishin më të mëdha, kështu që nga kjo kaloi në aktivitete të tjera. Përgjithësisht, gjëja më e veçantë që R&T ka pasur në treg ka qenë se ka bërë diçka pak më ndryshe sesa mesatarja e tregut. Nuk po them diçka avangardë sepse angazhohem shumë por pak më ndryshe. Nga aktivitete kryesore është që merret me zbatimin e projekteve të ndryshme, për kompani të ndryshme, për investitorë të ndryshëm. Është distribucioni i telekomunikacionit ( i Vodafone në këtë rast) dhe ne jemi përpjekur në të gjithë këta sektorë për të bërë diçka më shumë, edhe në distribucion jemi përpjekur të jemi të ndryshëm nga kompetitorët tanë, të jemi më efiçentë, shërbimin ta kemi më të mirëë dhe jemi përpjekur që në këtë lloj formë të maksimizojmë fitimin. Është shumë e rëndësishme që kompanitë duhet të fitojnë sa më shumë që të kenë mundësi prej investimeve, të bëjnë përpara dhe të hapin fusha të reja. Në diskutim shifrash ok, kjo mund të jetë e rëndësishme por ndoshta jo për startup-et. R&T e ka filluar punën me dy veta dhe sot janë mbi 200 punonjës dhe xhiroja është disa miliona euro.

Përgjithësisht, shumë startup-e në momentin që fillojnë, gjithmonë kanë një produkt ose shërbim që është ndryshe, pak ndryshe nga të tjerët, pastaj arrijnë ta bëjnë akoma më mirë. Si mund të arrish ta bësh këtë gjë duke qenë se kur fillon e futesh edhe në fillim konkurrenti e sheh që ti bën diçka më mirë se ato edhe ata mund të bëjnë të njëjtën gjë si edhe ju , praktikisht. Si arrini ta ruani këtë diferencën me prodhime afatgjata dhe pikërisht me atë diferencë arrini që të ngrini një kompani më të shëndoshë?

Kjo është edhe paksa filozofike sepse njeriu nga natyra ose kompanitë nga natyra nuk janë perfekte, nuk ka asgjë perfekte në këtë botë. As njeriu vete e as kompanitë e as shtetet e asgjë kështu që në këtë sens të bësh diçka më mirë ka gjithmonë hapësirë, puna është të vrasësh mendjen, të gjesh njerëzit e duhur që jo vetëm ideja të jetë më e mirë se e të tjerëve, por edhe zbatuese. Kështu që është një kombininacion i disa gjërave. Njeriu duhet të merret edhe për ambientin ku punon. Kur themi ambientin e kemi fjalën për ambientin e biznesit sepse mund të ketë shumë ide të mira, mund të ketë shumë njerëz të zotë, por duhet të funksionojnë në një ambient të caktuar, ta përshtasësh, t’i japësh ambientit dhe ambienti t’i japi kompanisë. Le të marrim rastin ekstrem: Sot mund të shkosh në Afganistan të bësh biznes por është ambient shumë i vështirë, mund të bësh biznes në Shqipëri, mund të bësh biznes në Amerikë, këto janë ambientet ku operojnë njerëzit, startup-et.

Ju thatë që duhet të kesh atë ekipin e mirë që ta ndërtosh që në fillim nje produkt dhe te bësh diferencën dhe ta riemetosh siç duhet. Le të marrim një shembull: unë kam një startup dhe si një  sipërmarrës i ri nuk e kam krijuar akoma kompaninë, kam ide shumë të mirë, mendoj që ajo ideja do më bëjë bilioner dhe në fund të ditës përveç problemit që do të zgjidhësh, me këtë produkt dhe shërbim do të bëhesh edhe i pasur. Si mund të arrij unë që të tërheq personat e duhur të cilët do më besojnë mua me këtë ide që kam? Kush mund të jetë një nga mënyrat me të cilat unë mund të arrij t’i bind ata? Të shkuarit deri tek një ide e tillë mund të kërkojë shumë sakrifica, pra një ide nga ëndërr ta realizosh konkretisht ka shumë pune dhe mund të kërkojë shumë sakrifica dhe ndërkohë duhet të jesh i motivuar tërë kohës që t’i shkosh gjërave deri në fund. Pra, si keni arritur ju të paktën të mblidhni personat e duhur në kompaninë tuaj dhe që kanë bërë diferencën në vite?

Në rastin tim konkret unë kam pasur fatin e madh që kam pasur partnerë shumë të mirë, shumë të besueshëm, i kemi dhënë energji pozitive njëri-tjetrit, kemi pasur le të themi të njëjtin nivel për t’i kuptuar gjërat, strategji të njëjtë, si për zhvillimin por edhe për daljen nga një kompani apo nga një biznes ose për ciklin e një biznesi. Momenti i parë që krijuam R&T me partnerin tim ishte që kompania është e përjetshme. Çdo të thotë e përjetshme? Kur ti fillon një biznes, që në fillim fare thua se kjo do të vazhdojë përjetë dhe në vitet 95’ çdo gjë ishte merr e shit, njerëzit shikonin shumë shkurt dhe në momentin që ishe para avokatit ose noterit dhe të thoshte që afati i licensës është i përjetshëm, ishte diçka shumë impresionuese, domethënë ti do punosh përjetë dhe duhej ta llogarisje që të punoje deri ditën e fundit. Këtë filozofi duhet ta ndash edhe me partnerin që të funksionojë gjëja. Unë kam pasur fatin e mirë që partnerët të cilët kam pasur, kemi qenë njësoj në të njëjtën linjë. Për një startup të ri, kjo është ajo gjëja: që duhet të jetë shumë i qartë kur kërkon partnerë, kur kërkon financim, kur kërkon ndihmë, duhet ta dijë dhe ta ketë të qartë se si do futet në biznes edhe se si do të dalë që edhe ai i cili do ta suportojë, ta dijë se çfarë t’i kërkojë tamam.

Mesa keni parë ju, çfarë tiparesh kanë sipërmarrësit në përgjithësi që i dallon nga profesionistët e tjerë – si individë?

Pyetja është nga më të vështirat, sepse unë e konsideroj që të gjithë njerëzit në botën e kapitalizmit janë sipërmarrës në një farë mënyre, kanë shansin që të bëjnë biznesin e vet, të punojnë në biznesin e dikujt tjetër ose t’i kombinojnë, ose të shkëputen nga një biznes dhe të bëjnë biznesin e vet dhe po tek ajo kompani ku kanëë punuar të japin shërbimet e duhura. Për mua sipërmarrësi nuk është se ka një formë të caktuar por në momentin që njeriu merr këto vendime, ka marrë disa risqe më shumë, domethënë ka prishur një lloj rehatlliku, për të mirën e vet. Pra është një balancë, një ekuilibër, që është shumë individual por sot në këtë botë që jetojmë përveç disa vende ekstreme siç janë Koreja e Veriut ë gjithë pjesa tjetër janë sipërmarrës në një farë mënyre dhe kanë shansin të jenë në çdo moment sipërmarrës të vegjël, të mesëm, të mëdhenj. Shanset janë të barabarta.

Por jo të gjithë e marrin riskun.

Këtu pastaj jo të gjithë e marrin riskun, jo të gjithë kanë të njëjtën shtytje të brendshme, pastaj është edhe fati, janë shumë elementë. Nuk është formulë matematike, doja të thoja.

Në një nga intervistat e tjera të Startup Grind Tirana, një spiker tha se zakonisht fati është çfarëdolloj gjëje që bën, ka një koefiçent fati që është nga 0 deri në 10 mijë, që shumëzon të gjitha përpjekjet që bën një sipërmarrës.

Me fatin jemi të gjithë të njohur, asgjë nuk e kemi llogaritur kështu që nuk e di se si mund ta llogarisë njeriu fatin në biznes.

Fati, a ndikon tek biznesi?

Fati është një gjë që ndikon, është një gjë që ekziston dhe ndikon. Fati është kur një njeri takohet diku me personin e duhur, fat është kur njeriu takon partnerët e duhur, fat i keq është kur takon partnerë të cilët janë jo të përshtatshëm, pra e kisha fjalën edhe për fatin e mirë edhe për fatin e keq.

Sigurisht, çdo gjë shumëzohet nga 0 deri në 10 mijë. Çfarë këshillash keni për ata sipërmarrës që duan të fillojnë një biznes por nuk janë të sigurtë se çfarë i pret përpara?

Ta fillojnë ta bëjnë, ta shohin atë realitetin se çfarë do bëjë vaki.

Ok, përtej kësaj. Çfarë duhet të marrin parasysh duke qenë se biznesi është tepër kompleks. Pra gjetja e idesë, gjetja e themeluesve, krijimi i produktit, gjetja e tregut, gjetja e klienteve, rekrutimi i stafit etj etj., pra është një rrugë që ka shumë të papritura. Nga eksperienca juaj, çfarë mund të këshilloni në këtë aspekt?

I këshilloj ta provojnë këtë rrugë sepse është një rrugë shumë e bukur, ka tëë papritura dhe kjo është pjesa e bukur sepse njeriu mëson vazhdimisht dhe ai që do të fillojë diçka të vetën, private dhe të jetë i pavarur duhet të dashurojë atë që do të bëjë, kjo është kryesorja dhe të ketë besim. Gjithmonë bizneset që njeriu i bën dhe nuk është 100% i bindur, dështojnë. Jo gjithmonë por probabiliteti është më i lartë që të dështojnë. Këhtu që njeriu duhet të bëjë atë që e beson që funksionon dhe të luftojë deri në fund edhe në momentin që ka dështuar për një arsye ose tjetër, prapëseprapë do ndjejë kënaqësinë që bëri diçka, bëri  një shkollë që mund të jetë edhe e shtrenjtë por që mund t’i shërbejë me gjërat e tjera, sepse ka bërë maksimumin për një gjë që beson dhe njeriu kur beson diçka, kjo është shumë pozitive sepse i çliron energji, i jep forcë, nuk i sheh orët, nuk i sheh shumë parametra të tjerë të cilët bëjnë që njeriu ta testojë veten.

Keni pasur ndonjëherë dështime?

Jo njëherë por të paktën unë kam pasur shumë dështime, edhe gjatë ditës mund të ketë mini dështime (në biznes) por kjo është një pjesë që duhet të ruash balancën që të ketë më shumë suksese se sa dështime dhe dështimet mos t’i përsërisësh.

Cfarë është suksesi për ju?

Shumë filozofike si pyetje. Suksesi është kur realizohesh, kur ke një dëshirë një qëllim dhe e kap atë, kur arrin në një pikë që ti e ndjen se ke arritur sukses.

Keni investuar ndonjëherë në startup-e?

Degët e reja të kompanive që kemi krijuar kanë qenë në një farë mënyrë startup-e.

Na flisni për pjesën e investimeve. Si i vlerësoni kompanitë tek të cilat investoni, çfarë kriteresh vlerësoni?

Në dy dekadat e fundit, mënyra e vlerësimit të kompanive ka ndryshuar. Duke qenë në krye të një kompanie të madhe, përballesh me oferta nga njerëz të ndryshëm të cilët kanë ide dhe duan të bëjnë biznes ose të bashkëpunojnë. Dhe kompanitë e mëdha fillojnë e vlerësojnë këto propozime secila ndryshe nga njëra-tjetra – por gjëja kryesore është që njerëzit me të cilët të bashkëpunosh duhet të jenë njerëzit e duhur. Pra, faktori i parë që vlerësoni në një kompani me të cilën  doni të bashkëpunoni janë themeluesit, pastaj ideja? Po.

Kur mendoni se një startup duhet të kërkojë investim për kompaninë e vet tek investitorët ëngjëj? Në cilën fazë të zhvillimit të kompanisë?

Nuk mendoj se ka një formulë ekzakte se kur duhet të merret financim sepse për një ide më të mirë, një themelues e diskuton idenë me ata që njeh dhe nuk shkon tek kompanitë e mëdha.  Bota sot ecën shumë shpejt dhe unë mendoj se njeriu kur ka një ide, duhet t’i japë një drejtim. Njeriu duhet të hidhet në treg që të gjejë bashkëpunëtorë dhe financues dhe financimi nuk nënkupton vetëm para por edhe shërbime në forma të tjera.

Mendon se në Shqipëri sipërmarrësit e suksesshëm të organizohen dhe t’u japin prioritet ideve të reja që kanë të rinjtë dhe t’i ndihmojnë ata?

Kjo duhet patjetër sepse jemi një vend që kemi 25 vjet histori biznesi dhe ata që janë të suksesshëm sot e kanë filluar biznesin nga zero. Volumi i biznesit që kryhet në Shqipëri është në nivelet e ulëta dhe të rinjtë kanë nevojë për nxitje, për edukim, shkollim, etj. Përfshirja e startup-eve të reja i bën shumë mirë ekonomisë sepse kemi mundësi të krijojmë edhe produkte globale nga brezi i ri shqiptar.

A do të investonit  në një startup nëse dikush do të kishte një ide dhe do vinte t’ju thoshte që ideja është premtuese dhe do të keni shumë fitime në të ardhmen?

Këtë gjë e bëj përditë, nuk është gjë e re të dëgjoj propozime milionëshe kështu që kjo gjithmonë dëgjohet me dëshirë. Ne vazhdimisht mbështesim ide të reja që nuk premtojnë gjithmonë miliona por treg.

Përveç angazhimeve në sektorin privat, ju jeni i angazhuar edhe në organizatat joqeveritare. A mund të flisni për këto inisiativa dhe çfarë kërkoni të arrini me të tilla nisma?

Unë besoj që njeriu mund të bëjë biznes fitimprurës dhe afatgjatë në një ambient të mirë, të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm. Pra, ky është angazhimi i kompanisë në pjesën e ‘non profit’, pasi e kemi për detyrë që këtu ku jetojmë të japim diçka të mirë për ambientin që të na kthehet mbrapsht në të ardhmen. Ne kemi shumë kompani për të cilat nuk bëjmë reklama dhe për të qenë prezent në publik kemi menduar që me fondet e kompanive të financojmë aktivitete të ndryshme. Kemi themeluar fondacionin EDS ku ne financojmë projekte që i shërbejnë komunitetit, të rinjve dhe pjesës që është e gatshme për t’i shërbyer ekonomisë. Përpara disa kohës kemi lançuar projektin code.org për t’u treguar të rinjve që informatika, programimi kanë të ardhme, janë mundësi që duhen shfrytëzuar dhe që ofrohen falas. Kështu njerëzit kanë akses dhe u hapen dritare, pasi shqiptarët mund të jenë shumë të mirë në informatikë dhe programim dhe mund të krijojnë të ardhura shumë të mira. Ne besojmë në këtë gjë dhe kështu kemi krijuar edhe shumë aktivitete të tjera në sport, art, kulturë – sepse besojmë.

Kam lexuar në një nga nismat tuaja që “ne duam t’u mësojmë të rinjve konceptet e sipërmarrjes në mënyrë që ata të jenë të vetë financuar, me ndihmën e fondit.”

Ne bëjmë aktivitete bamirësie, por duke parë që shumë fondacione të ngjashme bëjnë aktivitete të tilla duke ndihmuar njerëzit që janë në nevojë për ushqim, ne besojmë që njerëzit duhet të jenë të zotë për veten dhe ne duam të japim aftësi në këtë drejtim. Në kompaninë tonë ka punonjës me aftësi shumë të mira dhe mendojmë se ata mund t’i ndajnë këto aftësi me të tjerët. Ne besojmë që tregu mund të jetë më i mirë dhe kështu mund të përmirësohet më kollaj dhe më shpejt.

Nëse do të vendosnit sot të krijonit një kompani të re, në cilën fushë do të ishte?

Udhëtimi në hapësirë.

Keni një ide konkrete?

Jo, nuk kam ide konkrete por këto janë ëndrra që njeriu duhet t’i ketë dhe të marrë adrenalinë.

Si mund të fillojë një startup në Shqipëri një biznes në këtë fushë?

Startup-e ka pafund që mund të fillohen. Unë mora rastin ekstrem por këtu ka shumë mundësi që të ketë udhëtime në nivel sportiv,klube sportive që të japin mundësinë të fluturosh në hapësira të ulëta.

Ku e shihni veten pas 10 vitesh si sipërmarrës?

Këtë nuk e kam menduar por shpresoj të kem këtë aftësi për të punuar si sot, nuk kam ndonjë target specifik për të arritur.

 

E mbyllim me disa pyetje të shkurtra:

 

Ekip apo sipërmarrës i vetëm?

Ekip.

Plan biznesi – po apo jo, për një startup?

Patjetër.

Crowdfunding për një startup?

Sot me teknologjitë që ekzistojnë, crowdfunding është e domosdoshme sepse një sipërmarrës mund të gjejë investitorë nga e gjithë bota.

Co-working space, po apo jo?

Po, sepse njerëzit kanë mundësi të shkëmbejnë eksperienca dhe të ngacmojnë njëri-tjetrin

Për një startup: exit të shpejtë apo rritje të mëtejshme?

Nuk e di a ka formulë për këtë gjë por për disa produkte të veçanta sugjeroj shitje të shpejtë sepse kompani më të mëdha kanë më shumë mundësi për të zhvilluar produktin.

iOS apo Android?

Android, telefonin e kam Samsung.

Vanilje apo çokollatë?

Çokollatë.

Muze apo koncert rock-u?

Koncert rock-u sepse kam parë shumë muze.

 

Përgatitur nga Xhoana Trezhnjeva / PR Manager në Startup Grind Tirana

12189030_835673913213695_5808666368922673857_n

12105708_835670419880711_8268888851404764581_n

12046623_835673293213757_6449275472470395448_n