Q&A me Anila Bashllari: Menaxhimi i kohës

480967_168943253230039_1411012433_n

Më 12 Nëntor, në profilin në Facebook të Startup Grind Tirana filluam sesionin e parë të Q&A   – Pyetje & Përgjigje, me këshilluesen e karrierës dhe zhvillimit personal / profesional Anila      Kaba Bashllari. Tema e përzgjedhur për këtë muaj ishte “menaxhimi i kohës”. Në përgjigjet e    saj, Znj. Anila e vuri theksin tek planifikimi i ditës dhe evidentimi i prioriteteve, të cilave duhet    t’u kushtosh kohë. Më poshtë janë renditur pyetjet dhe përgjigjet e dhëna nga Anila, bashkë  me një biografi të shkurtër të Anila Bashllari, të cilën e gjeni edhe në Facebook.


Q&A me Anila Bashllari – Tema: Menaxhimi i kohës

MARIN NIKOLLI: Ajo që doja të pyesja unë është nëse ka hapa që ndan punën dhe realizimin e një projekti, duke patur parasysh ndarjen tradicionale për brainstorm, planifikim mbi idetë dhe zbatimin. Pra si ndahen me kohë kur e zëmë për një aktivitet (lançimin e një diçkaje) ke vetëm dy muaj kohë për të gjitha këto?

ANILA BASHLLARI: Përshëndetje Marin, pavarësisht kohëzgjatjes së projektit, fazat janë pak a shumë të njëjta, thjesht për një kohë më të shkurtër.


BLERTA PETA: Sa herë që flitet për të drejtuar një startup, mendohet një individ që punon gjatë gjithë kohës. Me burime të kufizuara (kohë, njerëz, para) sidomos në fillimet e sipërmarrjes, por me ambicie për të arritur rezultate, cila është mënyra më e mirë për të mbajtur balancën midis punës dhe jetës personale?

ANILA BASHLLARI: Hi Blerta, kjo është ajo pyetja 1 milion dollarëshe! Dhe natyrisht mund të dojë trajnime disa ditorëshe pasi prek shumë aspekte dhe fusha të rëndësishme të jetës. Por ajo që unë do të thoja janë: përcaktimi i prioriteteve, një planifikim më i mirë i aktiviteteve, ndjekja e tyre, si dhe një jetë aktive fizike, për të balancuar ngarkesën. Pa harruar këtu dhe një mënyrë të ushqyeri shëndetshëm si dhe hidratim.


KELVIN ÇOBANAJ: Cila është mënyra më efektive për të organizuar kohën dhe për të qenë sa më produktiv gjatë një dite jave?

ANILA BASHLLARI: Ka shumë mënyra, por më e thjeshta është të jesh i vetëdijshëm si e shpenzon apo investon kohën.


RENATO CIVICI: Cilat janë 3 veprimet më të rëndësishme që një menaxher duhet të fokusohet në orën e parë të ditës, që të bëhet më efektiv dhe të arrijë më shumë produktivet gjatë ditës?

ANILA BASHLLARI: Pyetje shumë interesante Renato! Unë e filloj ditën një ditë më parë, që do të thotë planifikoj një ditë përpara se çfare do të bëj nesër, ose planifikimi do të ishte gjëja e parë që do të bëj në mëngjes, pas një meditimi të shkurtër 20 minutash ose disa ushtrime zgjimi (unë praktikoj ChiGong, një disiplinë kineze e ngjashme me Yogën). Përcakto prioritetet dhe fillo punën me to. Email-et i shikoj nga dreka, me përjashtim të ndonjë emaili që ka lidhje me prioritetet.


ALKETA HALILAJ: Si mund të jemi më të përqëndruar gjatë një periudhe kur kemi për të bërë shumë punë në një kohë të shkurtër?

ANILA BASHLLARI: Hi Alketa, kjo pyetje natyrisht kërkon një përgjigje më të detajuar në funksion të punëve, rëndësisë së tyre, rolit tonë, etj. Por ajo çka unë do të thoja është që në fillim të përcaktosh prioritetet. Nëse janë shumë punë paralel, klasifikoi duke përcaktuar kush është më prioritar. Po ashtu e rëndësishme është që punët që ne bëjmë të përputhen me vizionin tonë. Gjithashtu është e rëndësishme që çdo 40-50 minuta të bëjmë një pushim të shkurtër (5 minuta) për të rifreskuar trurin dhe rritur fokusin.


LUÇIANA FANI: Në një ditë të ngarkuar pune ke dhe disa takime që duhet t’i zhvillosh patjetër por që ndodhen relativisht larg nga njeri-tjetri, si mund të menaxhohet koha në këtë rast, duke patur parasysh edhe faktin që takimet (kafet) tona zgjasin mjaftueshëm për të të bërë vonë për takimin tjetër?

ANILA BASHLLARI: Këtu përdoret mekanizmi i planifikimit: planifikoji takimet në shtrirje kohore; axhendën në kafe përcaktoje vetë (mund të thuash që në fillim sa kohë ke në dispozicion). Këto duken si të pamundura por me praktikë arrihen.


Anila Bashllari / Bio

Anila Kaba – Bashllari është konsulente e çertifikuar për karrierën dhe zhvillimin personal – profesional dhe aktualisht drejton qendrën Beyond Limits. Znj. Bashllari është doktore e shkencave ekonomike dhe ka një karrierë të pasur 25 vjeçare si drejtuese dhe menaxhuese projektesh për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në institucione shtetërore, organizata ndërkombëtare dhe biznese.

Aktualisht, puna e saj përqëndrohet me individë, korporata, sipërmarrës dhe menaxherë duke i ndihmuar për zhvillimin e tyre personal dhe profesional, për të rritur produktivitetin dhe efiçencën në drejtimin e duhur për të arritur qëllimet dhe objektivat e tyre, me qëllim që ata të kalojnë në një nivel më të lartë drejt suksesit. Anila ka dëshirë të motivojë, frymëzojë dhe inkurajojë të tjerët në eksplorimin e potencialeve të tyre dhe për të shpalosur fuqinë brenda vetes.

Lexo Q&A në Facebook.